Merkel kundër Trump për Korenë Veriore

Përshkallëzimin e retorikës mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, këtë të premte e ka dënuar për herë të parë publikisht Kancelarja gjermane, Angela Merkel, teksa tha se qeveria gjermane i qëndron mendimit se konflikti nuk do të mund të zgjidhej përmes metodave ushtarake. “Gjermania do të marrë pjesë intensivisht në opsionet për zgjidhje, të cilat nuk do të jenë ushtarake, por konsideroj se përshkallëzimi verbal do të ishte përgjigjja e gabuar”, tha Merkel përpara reporterëve në Berlin. Shefja e ekzekutivit gjerman ishte duke iu përgjigjur një pyetje mbi përdorimin nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump, të rrjetit social “Twitter” për të thënë se “zgjidhjet ushtarake ishin gati”. “Gishtin e kemi në këmbëz, nëse Koreja e Veriut do të veprojë gabimisht. Shpresoj që Kim Jong-un të gjejë një tjetër rrugë”, shkruante Trump. Merkel, ndërkohë, mbrojti idenë e një përgjigjeje diplomatike ndërkombëtare. “Nuk shoh asnjë zgjidhje ushtarake ndaj këtij konflikti, – u shpreh kancelarja. – Shoh nevojën për të një punë tejet të madhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sikurse edhe një bashkëpunim të fuqishëm mes vendeve të përfshira, veçanërisht Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”.