Kuvendi do të mbajë një seancë të posaçme në orën 17:00. Në rend dite është zhvillimi i votimit të parë për zgjedhjen e Presidentit. Duke qenë se Kuvendi nuk ka asnjë kandidaturë për të votuar në raundin e parë, seanca e 16 majit do të jetë formale. Kjo po ndodh sepse Edi Rama e dogji këtë raund duke mos dërguar asnjë emër për këtë votim që është i vlefshëm vetëm me tre të pestat e 140 deputetëve, numra që kryeministri nuk i ka.

Data 15 maj shënoi fundin e afatit për dorëzimin e emrave për President, dhe grupi parlamentar socialist nuk dorëzoi asnjë kandidaturë për kreun e ri të shtetit.

Ndërsa raundi i parë u dogj, deri në 23 maj është afati i fundit i raundit të dytë. Ende nuk dihet nëse Rama do të dërgojë një emër apo do ta djegë dhe këtë raund.

Lind pyetja, përse e dogji Rama raundin e parë? A ka ai një plan dhe a është kjo një strategji për të zgjedhur presidentin me një raund të vetëm. Nëse po, çfarë do të zgjedhë Rama, një president konsensual me votat edhe të opozitës në raundin e dytë ose të tretë, apo do të bëjë zgjedhje të papërkrahur nga opozita duke votuar një emër në raundin e katërt ose të pestë.

Një gjë është e qartë: Rama është në vështirësi sepse nga njëra anë është betuar të mos bashkëpunojë me Sali Berishën që tashmë me vendim gjykate kontrollon sërish PD dhe nga ana tjetër, po kupton se përpjekjet për të legjitimuar një marrëveshje me përkrahësit e Bashës që kontrollojnë ende një pjesë të PD, duket se nuk kanë shumë vlerë.

Zgjedhja e Presidentit kalon deri në 5 raunde votimesh dhe që një kandidat të zgjidhet, duhet që në raundin e parë, të dytë dhe të tretë të marrë më shumë e tre të katërtat e votave ose 105 ndër 140 deputetë.

Ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë, zgjidhet me vetëm 50% të votave ose 71 deputetë, pra shumicë e thjeshtë.

By kristal