Ndërkohë që SPAK ka nisur një hetim të gjerë për daljen e të dhënave personale në shërbim të Partisë Socialiste (mbrohen me ligj) të miliona shqiptarëve, kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë këtë të shtunë nga Durrësi për këtë skandal.

Por në vend që të inkurajonte organet e drejtësisë për të zbardhur skandalin deri në fund dhe daljen përpara drejtësisë të atyre që kanë nxjerrë të dhënat nga institucionet përgjegjëse, ai ka marrë në mbrojtje “patronazhistët”, duke konfirmuar përfshirjen e partisë që drejton në një skandal kombëtarë.

“Sot ata që nuk e dinë se çfarë pune, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda PS, kanë zbuluar fjalën patronazhist, dhe e sjellin vërdallë e vërdallë, duke e deformuar kuptimin e saj. Për faktin se ata nuk e dinë se PS, është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë. Punojnë vullnetarisht, pas pune, pas shkolle, punojnë duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi. Për të pasur komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Sepse beteja e përditshme e PS është beteja për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve…Unë ju jam mirënjohës, të gjithë patronazhistëve, aktivistëve të PS. Pasi fitorja jonë, është një fitore që krijohet nga puna dhe angazhimi i tyre. Ju bëj thirrje që mos lini asnjë derë pa trokitur”, bëri kryeministri alibinë e skandalit të madh që i ka mbetur në derë.

Me këtë deklaratë pavarësisht se është përpjekur që të ngrejë alibinë e marrjes së të dhënave “derë më derë”, Rama ka pranuar skandalin e madh dhe ka marrë në mbrojtje “patronazhistët” e tij që spiunojnë dhe mbajnë nën vëzhgim miliona qytetarë.

Kujtojmë se në database që u publikua, nuk bëhet fjalë siç thotë Rama për militant të partisë që kanë mbledhur me dëshirën dhe lejen e plot 910 mijë qytetarëve (vetëm në kryeqytet) të dhëna elektorale, por për informacion konfidencial siç është numri personal i kartës së identitetit, adresa e saktë e banimit, vendi ku punon, numri i telefonit, etj.

By kristal