303 shtetas janë proceduar penalisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale në fushën e drogërave, në qarkun Tiranë, në vetëm dy muaj.
Ekspertët konstatojnë se ky numër është i lartë, duke marrë parasysh moshën e re të të dyshuarve, faktin se disa prej tyre janë recidivistë, si dhe përfshirjen në masë të shtuar të shtetaseve të gjinisë femërore, sipas një raporti të qendrës “Fol”.
Nga të dhënat e grumbulluara nga ekspertët rezulton se në pjesën më të madhe të rasteve kur Policia ka konstatuar posedimin e një sasie të vogël të lëndës narkotike i ka referuar në gjendje të lirë të dyshuarit.
“Më konkretisht gjatë periudhës 3 mujore janë referuar në gjendje të lirë 229 shtetas ose rreth 76%, ndërkohë që 74 shtetas ose rreth 24% e tyre janë arrestuar nga ana e Policisë. Nisur nga analiza e rrethanave të faktit pjesa më e madhe e këtyre shtetasve deklarojnë se janë përdorues të lëndës narkotike, por referimi në gjendje të lirë realizohet edhe për faktin se janë mbajtës ose përdorues të lëndës narkotike të llojit “hashash”, të konstatuar në sasira të vogla”- thuhet më tej.
Nga kampioni i studimit, ka rezultuar se ka pasur raste të shtetasve përdorues, të cilët në momentin e ndalimit nga Policia janë referuar në gjendje të lirë sa i takon mbajtjes ose përdorimit të lëndës narkotike, por janë dërguar në gjyq për shkak të përdorimit të mjetit në gjendje të dehur.