Gazetari dhe analisti Veton Surroi thotë se Vladimir Putin nisi agresonin ndaj Ukrainës me qëllim zhbërjen e këtij shteti. 

Në një lidhje me Skype për Çim Peka Live, Surroi tha se me pushtimin e Ukrainës, Putin frymëzon nacionalistët.

Ai tha se konflikti në Ukrainë nuk e rrezikon Kosovën nga Serbia, pasi shteti është nën mbrojtjen e ushtarëve amerikanë dhe Vuçiç e di mirë që nuk mund të sulmojë ushtrinë amerikane.

“”Kjo që po shohim është e paprecedenë, është një sulm që ka ambicie që ta zhbëjë Ukrainën. Po zhbën rendin europian pas Atlantik të vitit ’45 e tutje. Putin po pretendon të krijojë sfera të interesit të cilat shkojnë ngjashëm me përpjekjen e Stalinit para fundit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe nga ana tjetër, do të kërkojë që të legjitimojë këto rregulla që i ka bërë”, u shpreh Surroi.

Çim Peka: Sa të kërcënuar janë shqiptarët pas kësaj që ndodhi në Ukrainë?
Veton Surroi:
Shqiptarët janë pjesë e botës perëndimore, jemi pjesë e botës së lirë. Rreziku të cilin ne e shohim është nga politika e kontestimit shtetëror e cila fillimisht ësht ëbërë nga Rusia, më herët nga Millosheviç në Kosovë dhe Bosnje dhe kontestimi i kufijve, i tërësisë. E njëjta gjuhë e përdorur nga Putin ndaj Ukrainës, që Ukraina është shtet i shpikur po përdoret nga nacionalistët serbë se Kosova është shtet i shpikur, shtet i rremë.

Kosova është protektorat i NATO-s dhe kush e prek, prek NATO-n. Por jo gjithë kohës do ta mbrojnë të tjerët. Kosova duhet të jetë vend anëtar i NATO-s. I tërë rajoni duhet të hyjë sa më shpejt në NATO, vetëm Serbia mund të mbetet jashtë për arsyet e veta. Veriu i Kosovës mbrohet nga ushtarët amerikanë. Vuçiç e di se çfarë do lëvizje në atë drejtim është sulm ndaj ushtrisë amerikane dhe NATO-s.

Çim Peka: A e braktisën demokracitë Ukrainën?
Veton Surroi
: Është e vështirë të konfrontohesh me një njeri që do të futet me ushtri, me armë bërthamore në një vend tjetër. Ajo çka ka ndodhur është se vendet e perëndimit e kanë lënë Ukrainën që në vitin 2014 me hyrjen e ushtrisë Ruse në Krime dhe me pushtimin e Donbas, një përgjigje e qullët atëherë i krijoi Putinit përshtypjen se mund t’i hyjë aventurave të reja.

By kristal