Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u ka shpëtuar javën e kaluar 3 tentativave për ta ekzekutuar. E përditshmja prestigjioze britanike ‘The Times’ shkruan se dy grupe të lidhura me rusët janë përpjekur ta vrasin, grupi famëkeq i mercenarëve Vagner i lidhur drejtpërdrejtë me Vladimir Putin si dhe grupi i luftëtarëve specialë çeçenë.

The Times shkruan se gjatë këtyre operacioneve, dy grupet kanë pësuar humbje të rënda në njerëz dhe logjistikë.

Një burim pranë tyre tha për gazetën britanike se ata kanë mbetur të habitur se me sa precizion ushtarët ukrainas u kanë paraprirë lëvizjeve të tyre.

Zelenski komunikon vazhdimisht përmes video-mesazheve me popullin ukrainas. Ai mendohet të jetë fshehur në një nga bunkerët për zyrtarët e lartë të qeverisë në Kiev.

Veçanërisht, grupi Vagner konsiderohet si një prej njësive më efektive paraushtarake të Rusisë. Ata kanë në përbërje afërsisht 6 mijë trupa.

Grupi funksionon në mënyrë private dhe lidh kontrata me pagesë për luftëtarët e punësuar.

Kremlini ka mohuar çdo lidhje me ta, por investigimet e mediave perëndimore thonë se ata drejtohen nga Dimitri Utkin, një ndër themeluesit e zbulimit ushtarak GRU dhe Jevgeni Prigozhin, i besuari i Putinit.

Këto trupa janë përfshirë edhe në konfliktet e Sirisë dhe Libisë, në mbështetje të interesave ruse.

 

By kristal