Ish-Shefi i Sektorit Ligjor të Burgut të Peqinit Gani Shehu është arrestuar sot nga SPAK. Sipas njoftimit të  Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ai ka paraqitur të dhëna të rreme për një të burgosur me qëllim lehtësimin e masës ndaj tij.

Burime për KRISTAL MEDIA TV “CTV”bëjnë me dije se bëhet fjalë për të burgosurin Viktor Ymeri, një personazh i njohur në botën e krimit. Shehu akuzohet se ka falsifikuar kartelat e tij. Kjo është tentativa e dytë nga ana e Shehut që ka falsifikuar dokumentet për Ymerin në mënyrë që të përfitonte lirinë sa më shpejt.

Ymeri i njohur ndryshe si “I forti i Vlorës” bëri 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës dhe Ilir Xhungës. Lidhur me këtë ngjarje, pasi vuajti dënimin Ymeri u lirua nga burgu në 2019, por u rikthye sërish në burg në dhjetor të 2020, pasi SPAK rihapi hetimet për dy ekzekutimet e bujshme në 2005, të Vajdin Lame dhe Klodian Saliut.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr.252 të vitit 2020, për veprat penale të parashikuara nga nenet 79/dh, 78, 278, 333/a, 334 etj. të Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet shtetasi V.B(I). Gjatë shqyrtimit të kërkesës së të arrestuarit V.B.(I), me objekt revokim/zëvendësim të masës së sigurimit nga ana e mbrojtjes së të hetuarit, u paraqit si provë një shkresë me lëndë: “Kthim përgjigje” e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Peqin e datës 14.01.2021.

Duke marrë shkas nga përmbajtja e kësaj shkrese, Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kreu hetime të thelluara në drejtim të vërtetësisë së të dhënave të pasqyruara. Pas kryerjes së shumë veprimeve hetimore, u krijua dyshimi i arsyeshëm se, në shkresën e datës 14.01.2021 të nxjerrë nga IEVP, Peqin, paraqiteshin të dhëna të rreme të cilat shkonin në drejtim të lehtësimit të pozitës së të hetuarit V.B.(I).

Gjithashtu, nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit krijohet dyshimi i arsyeshëm se, personi që ka përgatitur këtë shkresë në të cilën janë pasqyruar të dhëna të rreme,  është ish – Shefi i Sektorit Ligjor të IEVP – së Peqin, G.Sh.

Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95 datë 10.11.2021 ka caktuar ndaj shtetasit G.Sh. masën e sigurimit: “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, nga personi që ka për detyrë t’i lëshojë ato, parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Kjo masë sigurimi u ekzekutua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 11.11.2021

By kristal