Është i papërsëritshëm rasti i Kosovës. E pranuar nga i gjithë perëndimi si rast sui generis, e trajtuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po ashtu. Themelet e shtetit u vunë po mbi këtë bazë, me pakon e Ahtisarit. Kushtetuta e saj, në fakt është vet kjo pako. Por, jo rrallë kjo po godite nga zyrtarë të Bashkimit Europian. Rasti më flagrant ishte përpjekja e Mogherinit, që e përkrahur edhe nga Thaçi fuqishëm, deshi ta shtronte në bisedime ndarjen e Kosovës.
Ky proces u godit rënë me arrestimin e Hashim Thaçit nga gjykata speciale, dhe paraprakisht me ndërprerjen e rrugës për në SHBA, ku donte të shkonte ta nënshkruante marrëveshjen, duke pretenduar se do ta bënte nën bekimin e presidentit amerikan. Ato ditë ankthioze për shqiptarët nuk do të kthehen më. Por, presionet e një pjese të qarqeve të caktuara europiane, që duken të jenë më të ndikuara nga interesat serbe, nuk kanë të ndalur.
Presioni për ta dëmtuar konstitucionalizmin e Kosovës s’ka reshtur. Ai është rikthyer sërish në këto ditë, kur Serbia, dhe vetë presidenti i saj Vuçiq, nuk po pushon së propaganduari kundër Kosovës, dhe madje duke provokuar edhe për konflikt të hapur, pavarësisht se këtë të fundit e bën më shumë për konsum të brendshëm.
Është e habitshme për autoritete europiane, se si mund të parashtrojnë kërkesa anticivilizuese. Madje kjo së fundi u bë nga diplomacia e BE-së. Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm – EEAS nëpërmjet zëdhënësit #Stano ka kërkuar që Kosova ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, edhe pse antikushtetues, duke e rikthyer kërkesën, që Kosova ta ndryshojë Kushtetutën.
Kjo është një thirrje vandaliste, dhe nuk mund të shihet ndryshe. Shkatërrimi i Kushtetutës, nënkupton sulm ndaj demokracisë, sovranitetit dhe unitetit shtetëror. Pra, me një fjalë Stano, përkatësisht Shërbimi i Jashtëm Europian, po kërkon shkatërrimin e shtetit të Kosovës, që më së paku e nënkupton ndarjen e saj, ashtu siç provonte të bënte Mogherini.