Kosova pritet të pranojë mbi 4 mijë doza të Pfizerit

Kosova pritet të pranojë të martën 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë zyrtarë për media të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kjo është pjesë nga kontigjenca prej 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën në kuadër të ndihmës në vaksinim kundër COVID-19 për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në prill, Bashkimi Evropian njoftoi se do të shpërndajë 651,000 doza të vaksinave kundër koronavirusit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga kjo sasi, Kosova do të përfitojë 95,000 doza, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë, do të vijnë “javë pas jave”.

Me kontingjentin e vaksinave që arrin të martën në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë thotë se do vaksinohet personeli shëndetësor, që nuk është vaksinuar gjatë fazës së parë të fushatës së imunizimit, më pas personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike.

Kosova nisi fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 më 29 mars, me 24,000 dozat e vaksinës së AstraZenecas, që i mori falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Nga COVAX-i, Kosova në total, pritet të marrë 100,800 doza.

Qeveria e Kosovës, ka thënë se deri në fund të vitit, planifikohet që të vaksinohen deri në 70 për qind e popullatës.

Plani shtetëror i imunizimit është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë janë përfshirë punëtorët shëndetësorë, personat mbi 80 vjeç, banorët e shtëpive të kujdesit dhe ata me sëmundje kronike.

Në fazën e dytë bëjnë pjesë personat 65-79 vjeç, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë.