Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe reshjet e pandërprera të dëborës në të gjithë rrethin e Skraparit.

 

Dëbora ka mbuluar gjithçka në çdo fshat,duke arritur edhe në pikën më të lartë, në Teqenë e Abaz Aliut, ndërkohë që trashësia e saj ka arritur deri në 20-25 cm. Reshjet e pandërprera të dëborës, që filluan pasditen e djeshme dhe që vijojnë të bien ende, kanë bllokuar disa fshatra malore në rrethin e Skraparit.

Edhe pse raportohet se të gjitha akset nacionale të qarkut të Beratit janë të hapura dhe me qarkullim të pandërprerë, 7 fshatra rreth Tomorrit janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që 10 fshatra të tjerë janë pa energji elektrike prej mëngjesit të sotëm, për shkak të erës së fortë.

Fshatrat: Gjerbës, Qafë Dëvri, Leshnje, Gërdec, Potom, Backë dhe Zaloshnje janë të izoluar nga dëbora, ndërkohë që fshatrat: Ujanik, Gradec, Radësh, Tomorr, Potom, Zhepë, Dërvi, Backë, Leshnje e Tomorr në bashkinë Skrapar janë pa energji elektrike, për shkak të dëmtimit të linjave nga era.

Burimet zyrtare nga OSHEE-ja Berat konfirmojnë se të gjitha ekipet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në të gjitha zonat ku ka probleme me ndërprerjen e energjisë.

 

Edhe në disa akse raportohet prezencë ngricash në rrugë, ku më problematik është aski Bogovë-Skrapar, ku duhet të tregohet kujdes në qarkullim.

 

 

 

By kristal