Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë sot një detyrë shtëpie shumë të vështirë kryetarit të Partisë demokratike.
Yuri Kim, ambasadore e SHBA: Dua të nënvizoj dhe njëherë përgjegjësinë që ndërsa krerët e partive do të futen në Kuvend, të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e Shqipërisë. E rëndësishme që PD të mendojë për këto çështje. Siç e përmenda më parë, PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi. Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj.
Toni i ashpër i zonjës Kim tregon se shtetet e bashkuara ende nuk kanë një përgjigje pozitive nga Lulzim Basha.
“Në fakt shpresa jonë është që partitë të vazhdojnë përpara dhe bashkëpunimi ynë të shkojë përpara. Për këtë arsye ka vendime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”.
Pushimet e muajit gusht do të jenë më të lodhshmet për zotin Basha. Kryetarit të PD po i kërkohet që të nxjerr nga skena politike paraardhësin e tij politik Sali Berisha. Ish kryeministri ka tashmë një përplasje të hapur me shtetet e bashkuara. Pak muaj më parë Sali Berisha dhe familja e tij është shpallur e padëshirueshme për shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Cila do jetë zgjedhja e Bashës, Me Berishën dhe të kaluarën apo me Shtetet e Bashkuara dhe të ardhmen. Përgjigjen e kësaj pyetje do ta mësojmë në shtator!