Tom Doshi vendos të sfidojë thirrjen e ambasadores amerikane, Yuri Kim e cila kërkoi dy ditë më parë që ai të mos kandidonte në zgjedhjet e 25 prillit.
Mësohet se sot ai ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për tu bërë pjesë e garës më 25 qershor. Doshi ka kërkuar të regjistrohet në statusin e kryetarit të PSD (Partia Social Demokrate)
STATUSI I YURI KIM PËR DOSHIN
Me anë të një statusi në Twitter, dy ditë më parë, ambasadorja Kim ka rikthyer deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili vendosi në “listën e zezë” deputetin e Partisë Social Demokrate, Tom Doshin.
Doshit iu refuzua viza për në SHBA në vitin 2018. Teksa ka shpërndarë deklaratën e vitit 2018, Kim shkruan se ia vlen të kujtohet njoftimi i DASH, duke shtuar se votuesit shqiptarë meritojnë më shumë se kaq.
“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky paralajmërim i bërë nga Sekretari i Shtetit në SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më shumë,”-shkruan ajo.
REAGIMI I RAMËS
Ndërkaq, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të përgjigjet më mbi deklaratat e ambasadores, duke akuzuar mediat se kane dezinformuar. Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka nevojë që t’ia kujtojë njeri detyrën që ka përpara ligjit.
“Sa herë të më pyesni për ambasadoren, nuk do jap asnjë përgjigje, sepse keni spekuluar dhe abuzuar në mënyrën më skandaloze, duke krijuar një ngjarje që nuk ekziston. Faktikisht përgjigjja ime lidhur me pyetjen ishte shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë, nuk ka nevojë të më vinin përpara ambasadoren amerikane për të më kujtuar mua detyrën që kam përpara ligjit. Këtë e di vetë, nuk ka nevojë të më përdorni ambasadoren si karrem. Nuk jap më asnjë përgjigje, sa herë të më pyesni për ambasadoren amerikane, sepse krijoni telenovela të kota në publik dhe e dezinformoni”, tha Rama.